Tuneli i Llogarasë, Balluku: Tarifa për autoveturat është 250 lekë me TVSH
Tuneli i Llogarasë që pritet të vendosë traun këto javë, duke bërë kështu kalimin në me pagesë do të ketë një kosto 250 lekë me TVSH për autoveturat.
Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh se ndryshe nga sa ëhstë deklaruar kostoja do të jetë më e ulët.
“Janë 1 milion automjete në tre muaj në tunelin e Llogarasë. Përmes një analizë të gjerë, të thellë, të kostove operacionale, çmimi i një kalimi në tunel për autoveturat është 250 lekë me tvsh, as dhjetë euro, as pesë euro,.as 50 euro, se kemi dëgjuar shifra nga më të ndryshmet. kategoritë më të mëdha si, autobusët, trajlerat do kenë çmime të posaçme sipas studimit të fizibiliteti” tha Balluku.
Tuneli i Llogarasë u hap për kalim verën e 2024-ës duke lehtësuar kështu qarkullimin për në Jug të vendit. Pas mbylljes për një periudhë disamujore ai u rihap sërish në verën 2025 dhe edhe pse u deklarua për një nisje të pagesës ajo u shty për në fund të sezonit turistik.
Menaxhimi i sistemit të pagesës do të bëhet nga vetë qeveria përmes një operatori të dedikuar. Në mars të këtij viti Autoriteti Rrugor Shqiptar prokuroi ngritjen e një platforme të integruar për menaxhimin dhe monitorimin e operimit të stacioneve të tarifimit në rrugë.
Enti Kombëtar i Operimit Rrugor që është edhe operatori që ka në objekt të tij pjesën e operimit, monitorimit dhe koordinimin e shërbimit te operimit ne rruge me pagese do të menaxhojë sistemet në secilën prej akseve ku do të futet ky sistem.
Aksi që përfshin tunelin e Llogarasë ka një gjatësi 5.9 kilometra. Tuneli ka shkurtuar ndjeshëm distancën nga Dukati në Palasë, segment i cili më herët përshkohej për rreth 45 minuta dhe që tani përshkohet vetëm për 7 minuta. Tashmë, kjo rrugë përshkohet për vetëm 7 minuta. /Monitor(https://monitor.al/tuneli-i-llogarase-balluku-tdarifa-per-autoveturat-eshte-250-leke-me-tvsh/)